darko_peric-300x193Vendimi ka ardhur pasi klubi verdheblu nuk ka shlyer financiarisht kroatin Darko Periç, i aktivizuar gjatë 2006-2007

Elbasanit i hiqen tri pikë nga klasifikimi dhe, në rast se brenda afatit të përcaktuar nga FIFA nuk i shlyen detyrimet futbollistit kroat Darko Periç, përjashtohet nga kampionati i superiores, pra zbret direkt një kategori më poshtë. Ky ka qenë thelbi i letrës që ka mbërritur dje në Federatën Shqiptare të Futbollit nga institucioni më i lartë ndërkombëtar i futbollit, FIFA.

Kjo letër ka pasur trajtë ultimative, që do të thotë se FSHF është e detyruar të zbatojë gjithçka i kërkon FIFA. Lajmi është konfirmuar nga zyrtarë të FSHF-së, pikërisht nga shefi i sektorit të garave, Ilir Shulku, i cili menjëherë ka vënë në dijeni edhe zyrtarët e Elbasanit për letrën e mbërritur nga FIFA.

“Është e vërtetë që në Federatën Shqiptare të Futbollit ka mbërritur një faks nga FIFA, ku kërkohet që Elbasanit në mënyrë ultimative t’i hiqen tri pikë nga klasifikimi për një shkak të një problemi të pazgjidhur me një lojtar kroat, i aktivizuar me këtë skuadër disa sezone më parë. Jo vetëm kaq, por në rast se Elbasani nuk i shlyen detyrimet brenda afatit të përcaktuar nga FIFA, do të zbresë një kategori më poshtë. Ky është thelbi i faksit të mbërritur sot (dje) në federatë,” – ka shpjeguar Ilir Shulku.

Darko Periç, vetëm 5 muaj tek Elbasani
Shuma që duhet t’i paguante Elbasani kroatit Periç është 11 mijë euro. Futbollisti në fjalë ka zbritur në “Ruzhdi Bizhuta” në fillim të vitit 2007, pikërisht në janar dhe ka luajtur me verdheblutë deri në përfundim të sezonit. Mosshlyerja e detyrimeve financiare nga drejtuesit e klubit e ka detyruar kroatin Periç, që me sa duket ka nënshkruar kontratë të rregullt me menaxherë të FIFA-s, t’u drejtohet komisioneve juridike pranë institucionit më të lartë ndërkombëtar të futbollit.

Pasi Periç e ka fituar çështjen, Elbasani duhet t’i paguante shumën 11 mijë euro, por kjo nuk ka ndodhur. FIFA ka ndërmarrë veprimin ekstrem, duke i dërguar një letër FSHF-së, ku e urdhëron që Elbasanit t’i hiqen tri pikë nga klasifikimi dhe, në rast të mospërmbushjes së detyrimeve, përjashtihet nga superiorja dhe zbret një gategori më poshtë.

Nëse s’paguan 11 mijë euro, Elbasani përjashtohet
Masat që do të merren ndaj Elbasanit. nëse nuk shlyen detyrimet ndaj Darko Periçit. do të jenë drastike. Në letrën e FIFA-s e zeza mbi të bardhë thotë: “Nëse nuk i shlyen detyrimet, përjashtohet nga kategoria superiore.

” Drejtuesit e Elbasanit duhet ta marrin shumë seriozisht kërcënimin e FIFA-s, që kur bëhet fjalë për respektimin e rregullave në futboll nuk toleron askënd. Shuma për t’u paguar është 11 mijë euro, çka do të thotë se gjithçka ka ardhur për arsye neglizhimi, duke mos e vlerësuar kontratën që ka nënshkruar kroati me drejtuesit verdheblu.

Rasti “Periç”, paralajmërim për të gjitha klubet
Faksi i FIFA-s i mbërritur në FSHF është paralajmërim për të gjitha klubet shqiptare, që jo rrallëherë kanë probleme kontraktuale me futbollistët. Madje, për këtë të fundit, rasti “Pejiç” është për t’u mbajtur “vath në vesh”, që kontratat e nënshkruara të jenë profesioniste.

Nuk është hera e parë që një lojtar i huaj fiton “gjyqin” ndaj klubeve shqiptare, që nuk e kanë të vështirë të mos i zbatojnë kontratat. Disa vite më parë, Tirana, skuadra që ka fituar më shumë tituj në Shqipëri është detyruar t’i paguajë një shumë të majme mbrojhtësit holandezi Venhof, i cili është aktivizuar me bardheblutë në sezonin 2002-2003.(sportishqiptar.com.al)