Me vëmendje dhe dhimbje të plotë e kemi ndjekur ecurinë e fundit të skuadrës sonë së zemrës, Elbasani. Pas një fillimi të mirë në kampionat, tashmë ka filluar edhe rënia e lirë e një skuadre që duket qartë se ka probleme në menaxhim.

Ajo cka reflektojnë futbollistët në fushën e blertë është një zemërim i fshehur, i cili shfryhet në mënyra të ndryshme: me pasime të pasigurta, nervozizëm dhe sigurisht treguesi kryesor është mungesa e rezultateve pozitive në takimet e fundit. Elbasani gjatë gjithë historisë së tij ka qenë një “Kala” e pakalueshme për kundërshtarët në “shtëpinë” e tij, por tashmë mund të shikohet qartë se kemi fituar vetëm një takim në “Ruzhdi Bizhuta”.

Ku qëndron problemi? Sigurisht ai fillon që nga drejtuesit më të lartë dhe zbret dalëngadalë tek kryepankina Krenar Alimehmeti, i cili padyshim është i pari që gabon nëse skuadra nuk ka rezultate pozitive.

Trajneri në fjalë, i cili duket tepër naiv dhe i qetë gjatë drejtimit të një ndeshjeje futbolli, duhet të kujtojë se “Futbolli luhet me ZEMËR”, pasi në fushë kur luante me fanellën e skuadrës së Tiranës, ka qenë një tjetër fotokopje dhe jo kjo e sotmja në stilin “manikinë” pa lëvizur nga vendi në asnjë moment. Në të kundërt, nëse ai nuk ndjen asgjë për fanellën verdheblu, por i intereson vetëm rroga dhe karriera e “famshme”, është i lutur të kthehet andej nga ka ardhur.

Ndeshja e Durrësit përballë Teutës vendase tregoi qartë se Alimehmeti gabon dhe nëse një trajner gabon, është mirë që të tilla veprime ti vihen në evidencë, pasi nuk ka arsye që të heshtësh nëse zemra është verdheblu. Zgjedhjet e tij në “Niko Dovana” rezultuan fatale në humbjen e skuadrës, pasi formacioni i pjesës së parë ishte një bllof i vërtetë duke pësuar 2 gola të shpejtë dhe më pas në pjesën e dytë skuadra ndryshoi fytyrë.

Por si erdhi ky ndryshim? Padyshim aktivizimi i Hyshmerit në pjesën e dytë i dha një tjetër shtysë lojës së Elbasanit.

Por cfarë tha trajneri pas ndeshjes i pyetur për aktivizimin jo titullar të Hyshmerit? “Tek skuadra jonë luajnë ato lojtarë që janë në formë të mirë fizike. Hyshmerin nuk e pash mirë gjatë javës dhe mendoj se tani pas ndeshjes kam pasur të drejtë në zgjedhjen time.”

Si mund të ketë pasur të drejtë zoti trajner kur aktivizimi i Hyshmerit ndryshoi ritmin e skuadrës verdheblu në fraksionin e dytë? Trajneri tiranas bie ndesh me idenë e tij, pasi lind pyetja: Nesë Elbasani do të ishte me formacionin e pjesës së dytë në fraksionin e parë, a nuk do ta kishte më të vështirë Teuta ta mposhte?

Gjithsesi, problemi nuk është i përqendruar vetëm tek një futbollist. Alimehmeti ka treguar disa probleme edhe në ndeshjen ndaj Besës në “Ruzhdi Bizhuta” duke lënë të zbuluar krahun e djathtë të mbrojtjes verdheblu, në të cilën Ngjela dhe Dos Santos bënë “festival” në pjesën e dytë.

Ftohtësia e këtij trajneri padyshim ndikon në mungesën e përkushtimit të ekipit. Elbasani ka nevojë për një trajner grintoz, i cili të kuptojë mirë “Zemren Verdheblu”, e cila jeton falë adrenalinës dhe jo kamomilit.

Stërvitja e fundit zhvillohet në kalceto, por vallë Elbasani me 5 lojtar do të përballet ndaj Shkumbinit? Në kalceto do të zhvillohet ky takim? Që të krijohet një ide e qartë gjatë javës skuadra duhet të punojë në fushën e madhe.

Kërkojmë reagimin e skuadrës verdheblu që nga ndeshja e rradhës përballë Shkumbinit, një derbi që duhet fituar për qindra dhe mijëra arsye, në të kundërt Alimehmeti dhe ata që se kuptojnë “Zemren Verdheblu” le të shporren. Durimi tashmë është sosur, kur vjen java e 9 dhe ne regjistrojmë vetëm një fitore në “shtëpi”.

Dy fjalë edhe për drejtuesit: Kujdes se më pas “sulmi” do të spostohet disa “kate më lartë”, mos kujtoni se jemi naivë ndaj skuadrës sic është trajneri që keni vendosur në krye të saj, Ne e duam me Zemër Elbasanin dhe jo me “duar në xhepa”. (Tigrat Verdheblu)

Filed under: Uncategorized
Trackback Uri